Këtë libër duhet ta lexosh po qe se . . .

Dëshiron t’u sigurosh fëmijëve të tu një mjedis të sigurt ku ata do mund të mësojnë të dallojnë të duhurën nga e gabuara, gjërat e rrezikshme nga ato të sigurta, të mirën nga e keqja dhe jetën nga vdekja.

Me pak fjalë …

Ky libër shpjegon mënyrën se si t’u caktosh caqet fëmijëve të tu dhe se si të ngulitësh atë lloj karakteri tek fëmijët e tu, që do t’i ndihmojnë të jetojnë një jetë të baraspeshuar, produktive dhe përmbushëse kur të rriten. Ky libër do të të ndihmojë gjithashtu që t’i mësosh fëmijëve të tu mënyrën se si të marrin përgjegjësi dhe të zhvillojnë karakterin.

Ide kyçe …

  • Kur fëmijës tënd i cakton caqe, ai faktikisht ndjen më shumë dashuri dhe siguri, e jo e kundërta. Pjesë e vështirësisë së prindërimit është tolerimi dhe durimi i urrejtjes që fëmija yt ka për caqet që t’i i ke vënë. Fëmija yt do ta vërë në provë vendosmërinë tënde në mënyrë që të mësojë rreth realitetit. Puna jote është t’i bësh ballë kësaj sprove, përfshi inatosjen, varjen e buzëve, shpërthimin e zemërimeve, etj.
  • Ktheje sinqeritetin në normën e jetës së përditshme të familjes tënde dhe përcakto kufij të paluajtshëm për sa i takon mungesës së sinqeritetit.
  • Ti do të doje që fëmija yt të zhvillojë dëshirën për të bërë gjërat e duhura e për të shmangur të gabuarat, për shkak të dashurisë për të tjerët si dhe për Perëndinë.
  • Ndihmoje fëmijën tënd të kuptojë se jeta nuk ka të bëjë me shmangien e dhimbjes. Jeta nuk ka të bëjë me shmangien e vuajtjes por me të mësuarin se si të vuash në mënyrën e duhur.
  • Nëse ke një konflikt me fëmijën tënd, tregohu i sjellshëm dhe i dashur, por qëndro aq i fortë sa duhet për t’u bërë atyre me dije se ndjenjat e tyre nuk të kanë larguar prej tyre. Lëre krenarinë tënde diku tjetër, pas konfliktit, lidhu me fëmijën tënd. Bëji me dije fëmijës tënd që marrëdhënia juaj është më e rëndësishme sesa ky konflikt. Dashuria jote do të mbetet edhe pasi ky konflikt të ketë kaluar.
  • Zgjidhja për të menduarit se ti e meriton diçka, është përulësia. Fëmija yt duhet të dijë se, ndërkohë që ka nevoja legjitime, ai/ajo nuk ka të drejtë për të marrë vetë ndonjë gjë.
  • Mbaj caqet dhe trego se e kupton mënyrën se si fëmija po ndjehet. Trego dashuri dhe caqet. Nëse ti nuk e lë zemërimin, turpërimin apo justifikimet e tyre të të pengojnë, armiku bëhet caku i vendosur, jo mamaja vetë. Empatia të mban larg luftës për kontroll në situatën me fëmijën tënd.

Hapat e veprimit …

  • Identifiko cilësitë e karakterit të cilat ti dëshiron që fëmijët e tu të kenë kur të rriten dhe ndihmoji ata që të fillojnë t’i zhvillojnë ato aftësi që tani (kur janë të vegjël). Shembuj të cilësive që duhen zhvilluar janë: të jenë të dashur, të përgjegjshëm, respektues ndaj personave në autoritet, të ndërmarrin nisma (të kenë aftësinë për të filluar gjëra), të rriten duke qenë të orientuar ndaj të vërtetave biblike, ta ndërtojnë jetën rreth parimeve të Perëndisë.
  • Kombinoje gjithnjë dashurinë me kufizimet.
  • Kur ti i parashtron caqe fëmijës tënd:
    • Deklaroje çështjen në terma specifikë.
    • Parashtroi qartë pritshmëritë e tua.
    • Shkruaj atë që do të ndodhë kur fëmija yt nuk i plotëson pritshmëritë e tua, humbet privilegje, etj. Ndëshkimi duhet t’i korrespondojë krimit. Për shembull, nëse vajza jote nuk i bën punët e saj të shtëpisë, ajo mund të humbasë një privilegj të cilin e gëzon e tërë familja e saj. Nëse ajo fillon të punojë me një detyrë shkollore në minutën e fundit, ajo mund të marrë në fund një notë të keqe. Cakto pasoja pozitive për të paturin sukses në plotësimin e pritshmërive.
  • Është e rëndësishme që fëmijën ta mësosh për pasojat. Mos u bëj emocional e as gërricës. Trego empati ndaj fëmijës, por gjithashtu sigurohu që sjellja e fëmijës t’i kushtojë mundësinë për të bërë diçka që ai/ajo e vlerëson.
    • Bëji pasojat të jenë rezultati i natyrshëm i krimit. Nëse fëmija është gjithnjë vonë për darkë, ai mund të detyrohet të mbetet pa darkë. Gjithnjë zbatoi pasojat që ke thënë se do të aplikosh.
    • Apliko pasoja për shkeljet e rënda të rregullave. Ato duhet të aplikohen në rastin e sjelljeve të cilat rrezikojnë të kthehen në vazhda të këqija karakteri.
    • Apliko në mënyrë të menjëhershme pasojat.
    • Foli fëmijës tënd për sjelljet e gabuara në kohën kur fëmija është duke u sjellë në mënyrë të gabuar.

Citime …

  • “Sinqeriteti fillon me prindërit të cilët japin të parët shembullin në të, e kërkojnë atë nga fëmijët e tyre dhe u sigurojnë atyre një mjedis të sigurt në të cilin ata të mund të tregohen të sinqertë. Në përgjithësi, të tërë fëmijët e fshehin të vërtetën kur e vërteta përbërën kërcënim për ta. Për këtë arsye, prindërit duhet të krijojnë një mjedis në të cilin prirja natyrore e fëmijës për të fshehur, mund të tejkalohet. Kjo kërkon një baraspeshë të brishtë mes sigurisë nga njëra anë dhe standardeve nga ana tjetër.” Fq. 34
  • “Jep liri, kërko përgjegjshmëri, apliko pasoja dhe gjatë gjithë kësaj trego dashuri.” Fq. 65
  • “Jepi personit hir (favor të pamerituar) dhe të vërtetën (strukturë), dhe bëje këtë përgjatë viteve dhe kështu do të kesh mundësinë më të madhe që ky person të rritet me një karakter të mirë. Hiri përfshin mbështetje, burime, dashuri, dhembshuri, falje, dhe të tëra anët marrëdhënore të natyrës së Perëndisë. E vërteta është struktura e jetës. Ajo na tregon se si supozohet ta jetojmë jetën tonë si dhe mënyrën se si jeta funksionon në të vërtetë.” Fq. 67-68

Si e ka ndryshuar kjo prindërimin tim …

Pjesë e sfidës së prindërimit është tolerimin dhe durimi i urrejtjes që fëmija ka për caqet që ti i ke caktuar. Fëmija yt do ta vërë në provë vendosmërinë tënde ndërkohë që përpiqet të mësojë rreth realitetit. Ti duhet t’i bësh ballë sprovës, e cila përfshin zemërimin, varjen e buzëve, shpërthimet e zemërimit, etj. Unë kam prirjen të jem më tepër e ndjeshme se ç’duhet e që t’i marr gjërat si të drejtuara ndaj meje, kështu që ky ishte një mësim i mirë për mua që t’u tregoj të tjerëve për atë që ndjej emocionalisht e t’i përmbahem kufijve të mi.

Kur fëmijët bëjnë zgjedhje të gabuara, trego dhembshuri për humbjet që ata pësojnë. P.sh. thuaj: sa keq që nuk do të dalësh për të luajtur sot. E di. E kuptoj që ke humbur ndeshjen pa luajtur. Edhe unë e kam zët kur nuk arrij që të bëj diçka që dua të bëj. Ose thuaj: Pa dyshim që të ka marrë uria. Edhe unë e kam problem kur mbetem pa ngrënë. Është e rëndësishme që të tregosh se e kupton se si ndjehet fëmija, por që njëkohësisht t’u përmbahesh caqeve që ke caktuar. Kjo të mban afër fëmijës tënd edhe në mes të procesit të disiplinimit.

Jep shpërblime për: mësimin e aftësive të reja dhe për veprime tepër të mira. Është e pranueshme që ta shpërblesh një 2 vjeçar kur e mëson që të përdorë tualetin. Mos jep shpërblime për realizimin e detyrave të përshtatshme për moshën (të tilla si mësimin e aftësive të zakonshme për jetën) si dhe për bërjen e atyre gjërave të cilat pritet që ata t’i bëjnë (si për shembull punët e shtëpisë). E kam menduar këtë si një pikë të rëndësishme për shkak se shpesh herë fëmijët shpërblehen për bërjen e gjërave të cilat ata duhet t’i bëjnë gjithsesi. Ky libër më mësoi që fëmijët t’i shpërblej vetëm në rrethana të caktuara. Përndryshe, fëmija mund të zhvillojë një natyrë që mendon se meriton automatikisht gjërat që do.

Mos krijo tek fëmija përshtypjen që ti i do gjërat e tij/saj që janë të përsosura dhe me rendimet të lartë më shumë sesa ç’pëlqen pjesët mediokre dhe mangësitë e tij/saj. Unë kam prirjen që të jem perfeksioniste dhe tepër kërkuese nga vetja, dhe nuk dua që këtë ta shfaq edhe gjatë rolit tim si prind! Kjo pikë do të jetë e dobishme ndërkohë që fëmijët e mi përpiqen dhe dështojnë në realizimin e diçkaje. Nëse u bëj atyre me dije se i dua, po aq sa në rastet kur bëjnë diçka në mënyrën e duhur, ata nuk do të kenë frikë që të provojnë gjëra të reja.

Apliko pasojat e caktuara. Është e lehtë që të mos aplikojmë pasojat e caktuara kur fëmija im më shikon me sy të përlotur, por më duhet që të mbaj mend se nuk do ta ndihmoj atë nëse nuk u përmbahem pasojave të caktuara që në krye të herës.

Informacion Rreth Librit:
Titulli i Librit | Kufijtë për Fëmijët

Autor | Henry Cloud, John Townsend
Viti i Botimit | 2001
Botues | Zondervan
Faqe | 224
Web-site i Autorit | www.cloudtownsend.com

© E drejta e autorit 2017, BookBridges, International, Të gjitha të drejtat, të rezervuara. Mirë se t’i përdorni përmbledhjet BookBridges, por mos i kopjoni as shumëfishoni për përfitimin tuaj vetjak pa referencë ndaj burimit të materialit.

Për më tepër informacion rreth gjuhëve në të cilat ky libër është i disponueshëm në shitje, kliko këtu