Këtë libër duhet ta lexosh po qe se . . .

Dëshiron t’i rritësh fëmijët në një mënyrë që të jenë më të sigurt e që të kenë një trashëgimi dashurie dhe shëndeti për të kaluar tek brezi tjetër. Ky libër do të të inkurajojë duke të treguar se nuk ka asnjë metodë të “përsosur” për prindërimin, dhe se pjesa më e madhe e prindërve janë duke e bërë shumë mirë punën e tyre edhe pa e ditur.

Me pak fjalë …

Familjet që ia dalin mbanë, kanë 10 parime: 1. Të jesh i gjindshëm për pjesëtarët e familjes, 2. Të shprehësh dhembshuri, ngrohtësi dhe inkurajim, 3. Të krijosh rregulla morale dhe vlera të shëndetshme, 4. Të disiplinosh me një qëndrim të pandryshueshëm, 5. Të eleminosh pa mëshirë stresin, 6. Komunikimi është kyçi, 7. Lojërat janë të domosdoshme për një familje të lidhur ngushtë, 8. Të duash bashkëshortin/bashkëshorten tënde, 9. Gjëja më e mirë në jetë nuk janë sendet, 10. T’i japësh energji rritjes frymërore të familjes tënde.

Ide Kyçe …

  • Prindëro duke treguar mbështetje, ngrohtësi dhe inkurajim. Kështu, ne vazhdojmë t’i disiplinojmë fëmijët tanë, por nuk përfshijmë në këtë proces turpërimin e tyre me qëllim për t’i bërë që të marrin vendimet e duhura. Komunikimi është çelësi. Ai ka të bëjë më shumë me ndërveprimin sesa me rezultatin, gjë që buron nga një marrëdhënie e mirë e jo nga përmbajtja e asaj që është thënë. Prindërit duhet që të kenë gjithnjë sinqeritet dhe integritet kur komunikojnë me fëmijët e tyre.
  • Loja, humori dhe argëtimi janë thelbësore për familjet e lumtura dhe të shëndetshme. Kur ne luajmë së bashku, kjo na jep një ndjenjë më të thellë përkatësie dhe komuniteti. Prindërit duhet që në mënyrë proaktive të punojnë për ta kthyer këtë në një qëllim kyç për familjen.
  • Ta duash bashkëshortin tënd e ta vendosësh atë përpara fëmijëve të tu është faktori më i mirë për rritjen e fëmijëve të sigurt. Investimi më i madh në familje, mund të jetë marrëdhënia martesore e jote.
  • Financat mund ta sfilitin familjen kështu që të duhet të tregohesh i kujdesshëm e mos ta bësh paranë qëllimin tënd për sukses në jetë. Të duhet të mësosh të shpenzosh më pak nga ç’fiton, të jetosh brenda një buxheti të caktuar e të mos futesh në borxhe dhe ta shtysh plotësimin e dëshirave për gjërat që të mungojnë. Ne duhet të tregohemi kujdestarë besnikë të burimeve tona dhe ta kuptojmë se gjithçka është e Perëndisë. Ai thjesht na i jep hua sendet që ne t’i shijojmë.
  • Mënyra më e mirë se si të disiplinosh, është duke patur një njëtrajtshmëri. Qëllimi i disiplinës është që t’i mësojë fëmijëve të tu që të jenë të përgjegjshëm e jo që thjesht të binden. Ne nuk duam të ushtrojmë kontroll mbi fëmijët tanë. Ne duam të ndikojmë tek ta me sjelljen tonë.
  • Ne duhet që pa mëshirë ta eliminojmë stresin në familjen tonë me qëllim për ta patur një familje të lumtur e të shëndetshme. Të tërë e kemi të nevojshme rifitimin e një hapësire të lirë në programin tonë ditor, ku të kemi mundësi të marrim frymë, në mënyrë që të mos jemi të mbingarkuar e të jetojmë një jetë nën tension. Të jetuarit nën tension vjen nga të paturit tepër shumë veprimtari, është shumë e rrezikshme dhe ajo i paralizon familjet. Marrëdhëniet e tua do ta pësojnë nga ky lloj i të jetuarit dhe të tërë do të kenë mangësi të theksuara në aspektin marrëdhënor.
  • Të kaluarit kohë me Perëndinë është faktor kyç i të qenurit një prind i mirë dhe i të jetuarit me një trashëgimi shpirtërore që do t’i rezistojë kohës. Lutu me bashkëshortin apo bashkëshorten tënde për familjen tënde, dhe kjo do të të ndihmojë të shikosh prioritetet reale në jetë si dhe se cilat gjëra janë më të rëndësishmet. Përqendrohu tek jeta frymërore e familjes tënde duke kaluar kohë devocionale së bashku, duke u lutur së bashku dhe duke hartuar kushtetutën e familjes. Kushtetuta e familjes është një listë e shkruar e dëshirave, vlerave dhe gjërave të rëndësishme për familjen tënde.

Hapat e veprimit …

  • Çdo gjashtë muaj, prindërit duhet të planifikojnë një ditë ndryshe nga programi i zakonshëm ditor, e të kalojnë një kohë të gjatë duke u përqendruar tek secili prej fëmijëve e tyre. Të duhet të shqyrtosh fushat e jetës së fëmijëve të tu në të cilat duhet të jesh i pranishëm. Ji i vetëdijshëm për ndikimet e shoqërisë ku jeton dhe bëj programin për 6 muajt e ardhshëm për zhvillimin e moralit, marrëdhënies/miqësisë, shëndetit dhe rritjes frymërore të fëmijës tënd.
  • Mbaji të hapura linjat e komunikimit duke kaluar kohë për të biseduar si dhe dëgjuar në mënyrë të përditshme.
  • Në mënyrë të pamëshirshme shkurtoi veprimtaritë e familjes tënde për ta bërë jetën më të menaxhueshme e për të krijuar më shumë kohë për marrëdhënie sesa për të qenë të zënë.
  • Tregohu i qëndrueshëm në disiplinimin që bën e mos u mërzit më shumë nga ç’duhet kur gabon.

Citime …

  • “Shpesh herë, me qëllim për t’u kthyer në një familje të lidhur ngushtë, prindërit kërkojnë për trendin më të fundit. Megjithatë, përgjigjja është e thjesht dhe mu përpara tyre. Përgjigja është që kohën, energjinë dhe përkushtimin tonë, ta investojmë duke u gjendur pranë fëmijëve tanë. Si rezultat i kësaj do të ketë shpresë dhe siguri për të tërë.” Fq. 12
  • “Ashtu sikurse do të thonin pjesa më e madhe e ekspertëve mbi çështjet familjare, një familje e cila lutet së bashku, mbetet e bashkuar, por unë do të shtoja që një familje e cila në mënyrë të vetëdijshme lutet së bashku, do të jetë gjithashtu shumë më e lumtur dhe e shëndetshme.” Fq. 122

Statistika dhe fakte interesante …

“Nëse i lejon fëmijët të kenë një të dashur në moshën 12 vjeçare, shanset që ata të kryejnë marrëdhënie seksuale përpara mbarimit të gjimnazit (mosha 18 vjeç) do jetë 91 %. Nëse dëshiron të presësh deri në moshën 16 vjeçare për t’i lënë ata të kenë një të dashur, përqindja bie në vetëm 20%.” Fq. 39

Të ndryshme …

Autori, Jim Burns është një psikolog i krishterë i cili ka punuar me shumë familje të cilat janë në krizë. Media ka prirjen që të përqendrohet tek gjithë aspektet negative kur bëhet fjalë për familjet dhe fëmijët, por ka mijëra e mijëra familje në mbarë botën të cilat kanë një ecuri të mbarë e po ia dalin t’i kapërcejnë problematikat e tyre.

Si e ka ndryshuar kjo prindërimin tim …

Ky libër me të vërtetë që më ka ndihmuar ta thjeshtoj jetën e familjes time. Unë gjithmonë kam dëshiruar një jetë më të thjeshtë e më pak kaotike, por më është dukur se na është dashur të bëjmë tërë ato që bënin të tjerët. Ky libër më tregoi se kam të drejtën të ndalem e të bëj atë që është më e mira për familjen time e të mos përpiqem të bëj gjithçka. Tani kemi shumë më tepër paqe e jemi shumë më të lumtur me më pak veprimtari por me më shumë kohë pranë për të shijuar njëri-tjetrin. Marrëdhëniet janë më të rëndësishme sesa ajo që ju jeni duke bërë në një moment të caktuar.

Informacion Rreth Librit:
Titulli i librit | Si të Jesh Një Familje e Lumtur dhe e Shëndetshme 

Autor | Jim Burns, PH.D.
Viti i botimit | 2001
Botues | Word Publishing
Faqe | 188
Web-site i autorit | www.homeward.com

© E drejta e autorit 2017, BookBridges, International, Të gjitha të drejtat, të rezervuara. Mirë se t’i përdorni përmbledhjet BookBridges, por mos i kopjoni as shumëfishoni për përfitimin tuaj vetjak pa referencë ndaj burimit të materialit.