Këtë libër duhet ta lexosh po qe se . . .

Ke një fëmi të moshës parashkollore dhe dëshiron të mësosh se si të prindërosh në një mënyrë konstruktive dhe plot dashuri.

Me pak fjalë …

  • Rrite fëmijën në atë mënyrë që e bën të ndjehet mirë me veten
  • Krijo një lidhje të fortë dashurie dhe mirëbesimi me fëmijën tënd
  • Lejoje fëmijën tënd që të bëjë shumë gabime e të mësojë prej tyre që i vogël
  • Jepi fëmijës tënd shumë mundësi praktike përmes të cilave të ushtrojë të menduarin dhe zgjidhjen e problemeve

Ide kyçe …

Gjashtë javët e para të jetës së fëmijës, janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e tyre konjitiv, emocional dhe të sjelljeve. Prindërit mund t’u sigurojnë informacionin thelbësor fëmijëve të tyre duke përdorur katër përbërësit bazë të Dashurisë dhe Logjikës:

(1) Ndërto konceptin për veten – Koncepti për veten është i barabartë me sjelljen. Kur fëmijët ndjehen mirë me veten e tyre, shtohen gjasat që ata të kenë një sjellje të mirë. Ne u tregojmë fëmijëve tanë se mund të merremi me ta pa shumë mund dhe në mendjen e fëmijëve kjo përkthehet kështu: “Nëse prindërit e mi mund të merren kaq kollaj me mua, i bie që unë të jem në rregull!” Kur zemërimin dhe pezmatimin e zëvendëson me fjalë të buta dhe me veprime të fuqishme por gjithsesi të mirësishme, kjo gjë e fuqizon konceptin që fëmija ka për veten.

(2) Ndaje kontrollonin – Jepu fëmijëve zgjedhje në lidhje me gjërat të cilat nuk shkaktojnë probleme për të tjerët dhe që janë të përcaktuara me kufij të pandryshueshëm, me qëllim për t’i fuqizuar ata e për t’u dhënë atyre ndjenjën e kontrollit. Për shembull, prindërit mundet që të “depozitojnë” kontroll në “bankën e kontrollit” të fëmijës duke dhënë zgjedhje ndaj pyetjeve të padëmshme të tilla si: “Çfarë do për mëngjes, qumësht apo lëng frutash?” Bëj një listë me zgjedhje që mund t’ua lësh fëmijëve të vendosin. Çelësi i ndarjes së kontrollit, është garantimi që zgjedhjet që ti jep, janë të kënaqshme për ty si prind dhe që ti do mundesh të realizosh cilëndo zgjedhjeje që bëhet. Nëse ofron zgjedhje të tilla përgjatë gjithë ditës, kjo do ta zmadhojë “bankën e zgjedhjeve” të fëmijës tënd në mënyrë që kur të të duhet të bësh një “tërheqje” apo një kërkesë, fëmija të jetë më bashkëpunues.

(3) Ofro një dozë të fortë empatie përpara se të vazhdosh me dhënien e pasojave të sjelljes së fëmijës – Gabimet e fëmijës tënd shikoji si mundësi për të mësuar. Prindërit me dashuri dhe logjikë, e dinë që dhimbja e shkaktuara nga zgjedhje të gabuara, i ndihmon fëmijët të mësojnë të shmangin gabimet. Në mënyrë që kjo gjë të ndodhë, prindërit duhet ta lejojnë atë gjë të ndodhë në një mënyrë plot dashuri. Çmimi i gabimeve të bëra nga fëmijët e vegjël është shumë i vogël në krahasim ato të bëra nga adoleshentët. Pyetja që duhet t’i bësh vetes kur ke potencialin e një “situate mësimore” me fëmijën tënd, është: (a) a do të lëndohet fëmija im po qe se gabon? Dhe (b) çfarë do të mësojë fëmija im nga kjo gjë?

(4) Ndaje të menduarit – Çdo herë që fëmija yt shkakton një problem apo bën një gabim, trajtoje si një mundësi për të mësuar. Lejoje atë që të mendojë më shumë për situatën sesa ti. Sa më tepër empati dhe mirëkuptim që të tregosh, aq më tepër do të detyrohet fëmija të mendojë për dhimbjen që i ka shkaktuar vetes. Sa më tepër zemërim dhe pezmatim që tregon ti, aq më pak mendon fëmija yt – dhe aq më pak mëson se si të zgjidhë problemet e tij.

Hapat e veprimit …

Ndarja e kontrollit
– Jep 99% të zgjedhjeve kur gjërat po shkojnë mirë; shiko se sa “depozitime” mund të bësh gjatë       ditës
– Ofro zgjedhje vetëm për çështje të cilat nuk janë të rrezikshme e që nuk krijojnë probleme për       të tjerët
– Ofro dy opsione që ti i aprovon pavarësisht se cila syresh do të zgjidhet
– Nëse fëmija nuk zgjedh vetë brenda 10 sekondash. zgjidh ti për të

Deklaratat të zbatueshme

Fëmijës thuaji vetëm ato gjëra që mund t’i vësh në zbatim. Kur në mënyrë të përsëritur ti i kërkon fëmijës tënd të bëjë diçka të cilën nuk mund ta zbatosh, ti e dëmton besueshmërinë tënde si figura autoritare në jetën e tij/saj. Për shembull, në vend që në mënyrë të përsëritur të thuash: “Të lutem mblidhi lodrat,” një deklaratë e zbatueshme do të ishte: “Mos e ki problem t’i mbledhësh lodrat me të cilat do që të luash nesër. Lodrat që nuk i mbledh ti, do t’i mbledh unë, dhe ato që i mbledh unë do të të duhet të bësh punë shtëpie që t’i marrësh prapë.”

Cakto kufij një herë e mirë dhe mbaj një qëndrim të pandryshuar
Si i caktojmë një herë e mirë kufijtë?

o   Me fëmijët të cilët nuk e kuptojnë gjuhën, thjesht ndrysho vendndodhjen e tyre. Shembull: Një fëmi është ulur në një karrige fëmijësh në tryezë e fillon të hedhë andej këndej ushqimin. Përdor një shprehje empatike si “Ë-hë” ose “Mos” dhe pastaj hiqe fëmijën nga karrigia e fëmijëve dhe thuaj: “Darka mbaroi, duket se erdhi koha e gjumit.”

o   Me fëmijë më të rritur në moshë, ruaje pjesën më të madhe të vëmendjes për kohët e lumtura. Nëse po kalojnë një shpërthim zemërimi apo nuk po tregohen të mirësjellshëm, atëherë mund t’u thuash se kanë nevojë për të qëndruar në dhomë. Fëmija qëndron në dhomë derisa qetësohet e është gati për t’u treguar i ëmbël përsëri. Prindi duhet të qëndrojë aty pranë dhe kur fëmija është i qetë, prindi duhet të futet, ta përqafojë fëmijën e tij dhe të thotë: “Sa keq që shkoi kështu. A je gati të sillesh mirë tani?” Pastaj vazhdo pa diskutime të mëtejshme. Fëmija shumë shpejt do të mësojë se është më tepër kënaqësi të sillesh mirë sesa të sillesh keq.

o   Hapat për “Këngën Ë-hë” apo për cilëndo përgjigje empatike që dëshiron të përdorësh (shënim: gjëja më e mirë është të zgjedhësh një frazë e ta përdorësh atë në mënyrë të përsëritur me fëmijën tënd në mënyrë që ata ta dinë se çfarë të presin kur dëgjojnë “Ë-hë” ose “Sa keq”).

– Në vend që të kërcënosh ose të paralajmërosh, thuaj Ë-Hë” dhe ndërmerr veprimet        përkatëse
            Kjo të mos përdoret me foshnjat apo fëmijët e vegjël të cilët kanë një nevojë që                       duhet plotësuar
– Me butësi drejtoje apo mbaje hopa fëmijën tek dhoma e tij/saj
– Thuaji: “Mos e ki problem të dalësh kur të jesh gati për t’u sjellë si djalë i mirë.”
– Kur fëmija të jetë gati për të dalë, mos i mbaj leksion. Tregoi dashuri dhe vazhdoni        sikur të mos kishte ndodhur gjë
– Kur fëmijët sillen mirë, argëtohuni së bashku

Citime …

  • “Kur njerëzit pyesin: ‘Kur mund të fillojmë të përdorim Dashurinë dhe Logjikën me fëmijët tanë?’ ne themi: ‘Nisja që kur ata janë foshnje … fillo kur janë të mbarë po deshe që të mbeten të atillë!’” Fq. 30
  • “Kur fëmijët bëjnë numra, ajo që po thonë në të vërtetë me këtë, është: ‘Të lutem më duaj aq sa të caktosh disa caqe!’” Fq. 31
  • “Nëse dëshiron që fëmija yt të ketë disa kontrolle dhe liri të brendshme, duhet t’u sigurosh kontrolle të jashtme” Fq. 54

Statistika dhe fakte interesante …

Aftësia e një fëmije për ta dashur dhe respektuar veten si dhe të tjerët, në radhë të parë përcaktohet nga sa mirë janë plotësuar nevojat bazë të tij/saj gjatë dy viteve të para të jetës së tij/saj.

Të ndryshme …

(1) Cikli i mirëbesimit – Përpara se të mbjellësh farat e empatisë, përgjegjshmërisë dhe mirësisë tek fëmija yt, në radhë të parë duhet të sigurohesh se ata i marrin këto gjëra kur janë foshnje. Foshnjat që e dinë se nevojat e tyre bazë do të plotësohen, zhvillojnë dashuri dhe mirësi në zemrën e tyre. Kur fëmijët ndjejnë që prindërit e tyre vënë re dhe vlerësojnë interesat e tyre, ata janë gjithnjë më të lumtur dhe më bashkëpunues. Arrije “ciklin e mirëbesimit” me foshnjën/fëmijën tënd, duke ndjekur këto hapa:

Cikli i Mirëbesimit
Hapi 1 – Fëmija ka një nevojë bazë
Hapi 2 – Fëmija qan
Hapi 3 – Prindi përgjigjet me dashuri, nevoja plotësohet
Hapi 4 – Mirëbesimi/lidhja arrihet

(2) Cikli i sjelljes së gabuar – Kur një prind i heq veshin apo kërcënon një fëmijë dhe fëmija vazhdon të sillet në mënyrë të gabuar, çfarë është arritur? Më e rëndësishme akoma, çfarë është duke mësuar fëmija? Ja se çfarë ndodh:

Cikli i sjelljes së gabuar
Hapi 1 – Fëmija eksperimenton me sjellje të gabuar
Hapi 2 – Prindi pezmatohet ose zemërohet
Hapi 3 – Fëmija krijon mungesë respekti për figurat autoritare
Hapi 4 – Fëmija fillon të ndjehet i pashpresë

Si e ka ndryshuar kjo prindërimin tim …

Si prind, unë kam shumë më pak gjasa tani që të reagoj me zemërim, pezmatim apo dëshpërim të vërtetë kur fëmija im sillet në mënyrë të gabuar. Unë ndjehem e pajisur për të reaguar në mënyrën e duhur ndaj nevojave të saj, për t’u siguruar kësisoj që ajo zhvillon zakone të cilat do t’i japin asaj trajtën e një qenieje njerëzore të shëndetshme, produktive dhe të dashur.

Informacion Rreth Librit:
Titulli i Librit | Dashuri dhe Logjikë Çudibërëse për Fëmijërinë e Hershme:
Prindërim Praktik nga Zero deri në Gjashtë Vjeç 

Autor | Jim Fay dhe Charles Fay, Ph.D.
Viti i Botimit | 2000
Botues | Love and Logic Institute, Inc.
Faqe | 165
Web-site i autorit | www.loveandlogic.com

© E drejta e autorit 2017, BookBridges, International, Të gjitha të drejtat, të rezervuara. Mirë se t’i përdorni përmbledhjet BookBridges, por mos i kopjoni as shumëfishoni për përfitimin tuaj vetjak pa referencë ndaj burimit të materialit.