Këtë libër duhet ta lexosh po qe se…

…dëshiron të krijosh një kuptim më të mirë të mënyrës se si martesa mund të të përgatitë për t’u bërë më tepër si Krishti.

Me pak fjalë…

Ky libër shpjegon mënyrën se si martesa na zbulon Perëndinë dhe dashurinë e Tij për botën. Kjo realizohet duke krahasuar marrëdhënien e martesës me marrëdhënien tonë me Perëndinë. Ajo nxjerr në pah ngjashmëritë tek të dyja dhe mënyrën se si martesa na mëson të duam, të falim e të respektojmë njëri-tjetrin.

Ide kyçe…

  • Martesa është një fushë stërvitore për të jetuar me shenjtëri. Ne nuk është se thjesht duhet të lutemi më shumë e të provojmë taktika të ndryshme dhe të shpresojmë se gjithçka do të  funksionojë siç duhet. Ne duhet t’i shohim sfidat dhe vështirësitë e martesës si një mënyrë për t’iu afruar më shumë Perëndisë e për të forcuar karakterin tonë të krishterë.
  • Martesa mund të jetë një platformë për ungjillëzim kur në të vlerësohet përkushtimi ndaj një personi tjetër ashtu sikurse Perëndia është i përkushtuar për sa i takon premtimeve që na ka bërë. Divorci është rrugëdalje e kollajtë që njëkohësisht tregon faktin që zotimi i bërë nuk ka patur aspak vlerë. Nëse qëllimi i martesës është që të jemi gjithnjë të lumtur, njerëzit atëherë do lidhnin martesa të reja kur të mos jenë më të lumtur me martesën ku janë. Vazhdimi deri në fund së bashku, tregon parimin dhe praktikën e pajtimit.
  • Të duash një person tjetër nuk është gjithnjë e lehtë, por martesa na mëson që ta shtrijmë më gjerë dashurinë tonë dhe ta zgjerojmë kapacitetin tonë për dashuri. Ne jemi egoistë nga vetë natyra jonë. Duhen përpjekje që të heqim dorë nga egoizmi, ta ndajmë jetën tonë me një person tjetër si dhe që t’i vëmë nevojat e personit tjetër përmbi ato të tonat.
  • Martesa na mëson rëndësinë e respektit ndaj njëri-tjetrit. Kur kalojmë një kohë të konsiderueshme me bashkëshortin/bashkëshorten tonë, ne mund të “mësohemi” me të dhe mund të na duket më e lehtë t’i mëshojmë të metave e jo respektit ndaj tij/saj. Neve na bëhet thirrje që ta nderojmë njëri-tjetrin edhe kur i njohim të metat më të mëdha të karakterit të tjetrit.
  • Martesa nxjerr në pah mëkatin tonë. Bashkëshorti/bashkëshortja jonë di pothuajse gjithçka që ne bëjmë, përfshi edhe dëshirat dhe tundimet tona më të thella. Kjo vëmendje që vjen në sajë të marrëdhënies të thellë martesore, e nxjerr në pah mëkatin tonë. Fatmirësisht, ne kemi mundësinë që atë mëkat ta parashtrojmë përpara Zotit.
  • Kur hyjmë në marrëdhënien martesore, ti zotohesh që të afrohesh me njëri tjetrin. Çdo hap prapa apo përpjekje për t’u tërhequr, përbën një mashtrim. Ne duhet të mësojmë që të lëvizim drejt bashkëshortit/bashkëshortes tonë. Perëndia na e ka dhënë këtë person për të na mësuar se si të tregojmë dashuri.
  • Një nga qëllimet kryesore të martesës është që të na mësojë mënyrën se si të falim. Nëse mund ta falësh si dhe ta pranosh bashkëshortin/bashkëshorten tënde, personin pra më të afërt për ty, atëherë je i mirë-përgatitur për t’u ofruar falje të tjerëve. Mund të jetë e panatyrshme për ne që të falim, por edhe vetë praktikimi në këtë gjë do të jetë diçka e paçmueshme.

Hapat e veprimit…

  • Është e rëndësishme që ta përulim veten përpara bashkëshortit/bashkëshortes dhe të mësojmë të kemi një qëndrim prej shërbëtori. Për të shenjtëruar plotësisht marrëdhënien martesore, ne duhet të jetojmë ashtu sikurse jetoi Jezusi, me sakrifica dhe shërbime të përditshme. Ashtu sikurse Ai e dha jetën për ne, ashtu edhe ne duhet që pa egoizëm të lëmë mënjanë interesin, mungesat dhe dëshirat tona me qëllim për t’i shërbyer bashkëshortit/bashkëshortes tonë, pavarësisht mënyrës se si ai/ajo na trajton.
  • Këmbëngul gjatë vështirësive dhe mëso se si të jesh i shpejtë në të falur. Nga këndvështrimi i përjetësisë, kjo jetë vetë-mohimi është një përgatitje për përjetësinë.
  • Marrja përsipër e vështirësive e ndërton karakterin. Perëndia nuk ka për t’i larguar vështirësitë, por Ai do të të bëjë të aftë që të kalosh nëpër to si fitimtar.
  • Vazhdo gjithnjë të mësosh të komunikosh. Paçka se kjo gjë na bën thirrje që të dalim nga vetja jonë, ajo gjithsesi nxit unitetin dhe do të jetë themeli për një jetë lutjeje kuptimplotë si dhe për një martesë kuptimplotë.
  • Jeto në varësi të vazhdueshme nga Fryma e Shenjtë. Kjo kërkon praktikë dhe është pa diskutim disiplinë. Neve na duhet që në mënyrë të vazhdueshme t’i flasim Perëndisë. Me kalimin e kohës kjo gjë do të bëhet më e natyrshme.

Citime…

  • “Arsyeja përse Perëndia u bë mish, ishte që ne ta njohim Atë. Po kështu, Perëndia nuk e krijoi martesën thjesht sa për të na dhënë një mjet të këndshëm për ripopullimin e botës si dhe për sigurimin e një institucioni të qëndrueshëm shoqëror për dobinë e njerëzimit. Ai e caktoi martesën mes njerëzve si edhe një udhërrëfyes tjetër që tregon për ekzistencën e Tij të përjetshme frymërore.” Fq. 30
  • “Përbuzja lind kur ne fiksohemi në dobësitë e bashkëshortit/bashkëshortes tonë. Çdo bashkëshort/bashkëshorte ka pika të dobëta. Po të duash t’i kërkosh, pa dyshim që ke për t’i gjetur. Nëse dëshiron që të fiksohesh tek to, ato do të rriten, por ti vetë jo!” Fq. 70
  • “Me qiellin si një shpresë e ardhshme, me rritjen frymërore si një realitet i tanishëm, dhe në shumë raste, fëmijët për të cilët sakrifica jonë është e domosdoshme, një martesë e pacenuar është një ideal për të cilin ia vlen që të luftosh.” Fq. 115
  • “Një martesë e mirë nuk është diçka që e gjen. Është diçka për të cilën të duhet të punosh.” Fq. 133
  • “Ne nuk mund të mbajmë nën kontroll mënyrën se si bashkëshorti/bashkëshortja jonë do të veprojë apo mënyrën se si do të veprojë bota, por ne mund të kontrollojmë mënyrën se si ne vetë do të veprojmë dhe se si do të reagojmë.” Fq. 144
  • “Martesa e bazuar tek jeta në Jezus Krishtin, na fton që të ndahemi nga gënjeshtra (një pikëpamje e idealizuar e bashkëshortit/bashkëshortes tonë) dhe të përqafojmë realitetin (dy njerëz mëkatarë që përpiqen të mbajnë një zotim të vlefshëm për gjithë jetën).” Fq. 165
  • “Bukuria e martesës është që ajo konfronton egoizmin tonë si dhe kërkon shërbimin tonë njëzetekatër orë në ditë.” Fq. 186

Si e ka ndryshuar ky libër martesën time…

Ky libër më ka bërë më të vetëdijshme për mënyrën se si martesa mund të më bëjë të shenjtë. Është ende tepër herë të vërejmë ndryshime rrënjësore, por mund të them se ky libër m’i ka hapur sytë për të shquar egoizmin tim. Unë po mësoj që në mënyrë të përditshme ta përul veten e t’i shërbej bashkëshortit tim, duke e respektuar atë edhe në ato raste kur nuk mendoj se ai e meriton. Nuk ka qenë e lehtë, por unë vërej një ndryshim pozitiv në ndërveprimet tona me njëri-tjetrin tani, duke u afruar me njëri-tjetrin sërish edhe në ato situata.

Informacion Rreth Librit:
Titulli i Librit | Martesa e Shenjtë

Autor | Gary Thomas 
Viti i Botimit | 2000
Botues | Zondervan
Faqe | 268
Web-site i Autorit | www.garythomas.com/books/sacred-marriage

© E drejta e autorit 2017, BookBridges, International, Të gjitha të drejtat, të rezervuara. Mirë se t’i përdorni përmbledhjet BookBridges, por mos i kopjoni as shumëfishoni për përfitimin tuaj vetjak pa referencë ndaj burimit të materialit.

Për më tepër informacion rreth gjuhëve në të cilat ky libër është i disponueshëm në shitje, kliko këtu